Ministria e Punëve të Brendshme hedh poshtë pretendimet e Agjencisë së Lajmeve serbe “Tanjug” se po kërcënohen gazetarët e tyre nga Kosova.
Nga kjo ministri thonë se deri më tash nuk është evidentuar asnjë raportim zyrtar tek institucionet e sigurisë të Kosovës në lidhje me kërcënimet e pretenduara.
Tutje në këtë shkresë thuhet se Kosova vizitohet vazhdimisht nga gazetarë të huaj, përfshirë edhe gazetarë nga Serbia të cilët udhëtojnë dhe raportojnë lirshëm nga Kosova dhe për Kosovën.
“Raporti i fundit i kompanisë amerikane Gallup rendit Kosovën në top 10 vendet e botës me vlerën më të lartë të indeksit të Ligjit dhe Rendit dhe në mesin e vendeve më të sigurta në glob për qytetarët e saj. Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor, e 2-ta në Evropë dhe e 5-ta në botë për nga siguria që ka për njerëzit që jetojnë dhe vizitojnë Kosovën. Republika jonë është vendi më demokratik në rajon që gëzon liri të shtypit dhe siguri për qytetarët e saj. Kosova vizitohet vazhdimisht nga gazetarë të huaj, përfshirë edhe gazetarë nga Serbia të cilët udhëtojnë dhe raportojnë lirshëm nga Kosova dhe për Kosovën.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se në këtë institucion nuk është raportuar për ndonjë kërcënim të tillë për të cilin po pretendohen nga Agjencia e Lajmeve “Tanjug”.
“Bazuar në informacionet zyrtare të deritanishme, në Polici të Kosovës nuk është raportuar ndonjë rast i tillë nga ndonjë gazetar/medium”, u shprehen nga Departamenti për Informim në Policinë e Kosovës.