Një ekip shkencëtarësh i udhëhequr nga studiuesi spanjoll David Lagares në Universitetin e Harvardit ka zbuluar një qasje të re premtuese që mund të ndihmojë në rinovimin e mushkërive dhe trajtimin e sëmundjeve të lidhura me plakjen qelizore, veçanërisht fibrozën pulmonare, sipas “El Pais”.
Studimi është publikuar në revistën shkencore “Science Translational Medicine”.
Shkencëtarët u përqendruan te paaftësia e sistemit imunitar për të larguar këto qeliza nga mushkëritë e njerëzve të moshuar. Ata përdorën një formë imunoterapie që “riedukon” qelizat Natural Killer (NK), të cilat normalisht identifikojnë dhe shkatërrojnë qelizat e dëmtuara ose të plakura.
Në eksperimentet me minj, një ilaç eksperimental i quajtur monalizumab riktheu aftësinë e qelizave NK për të eliminuar qelizat e plakura. Si rezultat, fibroza pulmonare u përmirësua pjesërisht dhe mushkëritë rifituan një pjesë të funksionit të tyre normal. Edhe në mostrat qelizore të marra nga pacientë me fibrozë pulmonare, ilaçi arriti të eliminonte qelizat problematike.Studiuesit besojnë se kjo strategji mund të ketë vlerë edhe për sëmundje të tjera ku grumbullohen qelizat seneshente, si artriti reumatoid, skleroderma me fibrozë pulmonare, fibroza pas COVID-19, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD) dhe fibroza e shkaktuar nga radioterapia te pacientët me kancer.
Monalizumab është një antitrup i zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Innate Pharma dhe AstraZeneca. Aktualisht ai po testohet në prova klinike për disa lloje kanceri. Ilaçi vepron duke hequr “frenën” që pengon sistemin imunitar të sulmojë qelizat e dëmshme, një mekanizëm i ngjashëm me atë të frenuesve të PD-1 që përdoren në imunoterapinë e kancerit.