IKD: Të gjitha gjobat e KPM-së ndaj mediave janë të kundërligjshme
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
IKD: Të gjitha gjobat e KPM-së ndaj mediave janë të kundërligjshme
IKD
08/06/2026 - 12:13
Linku u kopjua

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Kur rregullatori shkel rregullat: Kundërligjshmëria e gjobave të KPM-së ndaj shkeljeve të mediave”, ku vlerësohet se të gjitha vendimet dhe sanksionuese të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të marra pas funksionalizimit të institucionit në maj 2026, janë të kundërligjshme.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu, në një konferencën për media prezantoi gjetjet kryesore të raportit, i cili trajton vendimet sanksionuese të KPM-së ndaj mediave pas rikthimit të funksionalitetit të institucionit.

Sipas tij, pas funksionalizimit, KPM-ja ka mbajtur 14 mbledhje, ku janë shqyrtuar 62 raste ligjore dhe janë shqiptuar sanksione në 59 prej tyre.

Ai tha se gjetja kryesore e raportit është se të gjitha këto sanksione janë shqiptuar në kundërshtim me ligjin.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Gëzim Shala, tha se raporti ka trajtuar nëse KPM-ja ka pasur bazë ligjore për t’i sanksionuar mediat në mënyrën dhe kohën kur janë marrë vendimet.

Sipas tij, KPM-ja ka kompetencë për të monitoruar mediat gjatë fushatave zgjedhore, por kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me afatet dhe procedurat ligjore.

Ai theksoi se sipas raportit, vendimet për ciklet zgjedhore të vitit 2025 janë marrë jashtë afateve të përcaktuara në rregullore dhe për këtë arsye konsiderohen të kundërligjshme.

Shala ngriti po ashtu shqetësime edhe për ligjshmërinë e rekomandimeve të Zyrës Ekzekutive të KPM-së, duke argumentuar se pozita e kryeshefit ekzekutiv është ushtruar për vite me radhë nga ushtrues detyre, përtej afateve të lejuara me ligj.

Sipas tij, rekomandimet e hartuara nga një pozitë e tillë nuk prodhojnë efekt juridik dhe rrjedhimisht edhe vendimet e bazuara mbi to janë të kundërligjshme.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se mediat duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion për të sfiduar këto vendime, duke përfshirë ankesat në Komisionin për Ankesa dhe në Gjykatën Administrative.

Ai kritikoi Kuvendin e Kosovës për mosfunksionalizimin me kohë të Komisionit të Ankesave në kuadër të KPM-së dhe për mosgarantimin e funksionalitetit të plotë të institucionit.

“Dështimet pse kemi ardhur në situatë të tillë, janë sepse Kuvendi i Kosovës ka lejuar, ose s’ka ushtruar kompetencat e përgjithshme të tij, me bë raport, Komisionin e Pavarur për Media funksional, me kuorum, pastaj edhe Komisionin për Ankesa. Kur Komisioni i Pavarur për Media ka qenë jofunksional për afërsisht një vit e diçka, domethënë nuk ka qenë në gjendje brenda afateve ligjore me përfunduar, me përmbushur detyrimet e tij. Nga ana tjetër, Komisioni i Pavarur për Media ka dështuar me zgjedh kryeshefin ekzekutiv. Gjykata Supreme ka, tashmë ka një praktikë gjyqësore, ka një mendim, i cili e ka pasqyruar mjaft qartë, kushdo që e mban një pozitë ushtrues detyre mbi dy vite, domethënë jo personi por pozita, atëherë i njëjti pas dy viteve nuk ka të drejtë më me marrë veprime ligjore, kështu që kemi ardhur në situatë ku gjithçka çka është marrë nga Komisioni i Pavarur për Media është e kundërligjshme, jashtë afateve ligjore, dhe kjo duhet të mirëkuptohet përmes ankesave dhe më e mira është që të ankohet kjo punë përmes gjykatave, që mjetet në njëfarë mënyre të ushtrojnë këto mjete juridike”, tha Miftaraj.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026