Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga Ministria e Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë për qytetarët e vendit.
Hulumtues të këtij instituti kanë thënë se në bazë të Ligjit për pronat një dispozitë ligjore i mundëson qeverisë që vlerësimin e pronave ta bëjë në vitin 2025.
Hulumtuesi në IKDNaim Jakaj thekson në një intervistë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës mund ta pezullojë këtë vendim deri në vitin 2025, pasi sipas tij vendi ka kaluar në kriza të ndryshme, dhe ky vendim është i paarsyeshëm.
Sipas Jakajt, ideja e ministrit të Financave për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro mund të bëhet vetëm përmes ndryshimit të Ligjit për pronën.
Ai thotë se rritja në këtë kohë e tatimit në pronë i ka rënduar qytetarët. Sipas Jakajt, edhe nëse ky vendim do të lejohej, qeveria do të duhej ta merrte për bazë jetën e qytetarëve, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë kriza financiare.
“Është dashur që ta pezullojë rivlerësimin, t’i sjell faturat siç kanë qenë në vitin 2021 dhe rivlerësimin e ri ta bëjë në vitin 2025, sepse këtë ja lejon edhe ligji, është dashur ta zbatojë, e jo të sjellë fatura të reja, të cilët qytetarët nuk mund t’i përballojnë... Në këto momente i pa arsyeshëm vendimi për rivlerësimin e ri të pronave që është bërë në vitin 2019 dhe tash po bëhet në vitin 2022. Është i padrejtë në kuptimin pasi e lejon ligji për ta bërë në vitin 2025, dhe tjetra është se edhe sikur nuk do ta lejonte, një qeveri e cila e ka për bazë qytetarin, do të mendonte se faturimi i ri me rritje do të rëndonte më shumë jetesën e qytetarëve”, tha mes tjerash Jakaj.
“Tatimin në pronë nuk mundin ta falin komunat, por kjo mund të bëhet në bazë të ndryshimeve ligjore, të cilat duhet t’i bëjë Kuvendi i Republikës së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve...Në janar të këtij viti, qytetarët e Kosovës pa qenë në dijeni dhe të njoftuar e kanë marrë faturën e re e cila ka qenë në shumë raste e katërfishuar, është vlera e cila ka ardhur në raport me të ardhurat që ata i kanë pasur, ka qenë shumë herë më e madhe... Pra, mund të bëhet falja e borxhit, por vetëm me ligj. Ligji është i paraparë të ndryshohet deri me 31 mars, dhe ne presim të shohim se si do të jetë ky ndryshim”, shtoi Jakaj.
Të enjten e kaluar në Kuvendin e Kosovës është shqyrtuar propozim rezoluta e paraqitur nga LDK-ja për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, e cila kishte në përbërje tri pika kryesore.
Ndërsa, kuvendi ka vendosur që kjo rezolutë për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, ta bartë si pikë për votim në seancën e ardhshme.
Për shtrenjtimin e tatimit në pronë, ka pasur reagime të shumta nga deputetë të opozitës dhe nga qytetarëve. /E.Krasniqi/