Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD) vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të ndjerën Sebahate Morina e ka konsideruar si një fitore kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, ndërsa kanë kërkuar reflektim nga institucionet e Kosovës, për të cilat thanë se me heshtjen e tyre po tregojnë se sa e kanë prioritet mbrojtjen e grave nga dhuna.
Po ashtu, përfaqësuesit e IKD-së gjatë kësaj konference për medie kërkuan dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinës, Kujtim Munishit dhe prokurorit të rastit të Sebahate Morinës pas aktvendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese i cili konfirmoi shkeljen e së drejtës në jetën e tashmë të ndjerës.
Gëzim Shala po ashtu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se mënyra se si është vepruar në rastin e Sebahate Morinsë dëshmon e shpërfaq sistemin prokurorial dhe institucionet tjera si institucione që mbrojnë prokurorët e jo viktimat e dhunës.
Prandaj, për të dëshmuar të kundërtën, Shala bëri thirrje që të japin dorëheqje kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe prokurori i rastit.
Shala: Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka integritet t’i mbroj viktimat e dhunës në familje
Video
Koordinatorja e Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD-së, Arrita Rezniqi tha se kërkesa e tyre në Gjykatën Kushtetuese kishte synim që të vërtetohet konstatimi për mos veprimin e institucioneve përkatëse në rastin e tanimë të ndjerës Morina.
Ajo tha se ndonëse tri ditë pasi rastit kishte publikuar një raport me gjetje që tregojnë dështimin e institucioneve nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
E dje Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim për të ndjerën Sebahate Morina, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.
Në vendim thuhet se institucionet e Kosovës, respektivisht, Gjykata Themelore në Gjilan, Prokuroria Themelore në Gjilan, Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar ta mbrojnë jetën e të ndjerës Sebahate Morina.