Ideatorët e platformës “Liria ka Emër”: Kosova dje u bashkua për historinë e saj
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Madhështor e rizgjim të Kosovës e konsideruan marshin e djeshëm ideatorët e platformës “Liria ka Emër”. Derisa falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, ata thanë se dje Kosova u bashkua për historinë e saj.
Para gazetarëve, ideatorja e platformës, Eliza Hoxha u shpreh se Prishtina dje u mbush plot me ngjyra, ku u tregua edhe maturia e qytetaria.
"Të gjitha rrugët dje quan në Prishtinë. Dje Kosova u bashkua për historinë e saj. Dje Prishtina ishte e vogël me i përfaqua zemrat e mëdha të qytetarëve të saj. Dje ishte një ditë një madhështore. Prandaj, përulësisht faleminderit për të gjithë ju që i dhatë kuptim dhe ngjyrim kësaj dite...Na kishte marrë malli me i pa krejt bashkë",tha ajo.
Edhe ideatori i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli falënderoi të gjithë qytetarët që u bashkuan në marshin për drejtësi, një ditë para fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai foli edhe për protestën që u mbajt sot në Hagë, me ç’rast tha se sakrifica e bashkatdhetarëve kërkon mirënjohje.
Në Hagë nisi sot procesi gjyqësor për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Atje protestuan me orë të tëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Evropës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Ata edhe një herë u deklaruan të pafajshëm para gjykatësit të procedurës paraprake./Sh.Pajaziti