Ibishi: Tërheqja e Jabllanoviqit nga zgjedhjet, kërcënim direkt i regjimit të Beogradit
Lexohet për: 4 min.
nuredin-ibishi-230423
1 vit më parë
Linku u kopjua

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi nuk pret që zgjedhjet e sotme në katër komunat me shumicë serbe të zgjidhin problemet e qytetarëve andej si pasojë e presionit të bandave kriminale pas të cilave qëndrojnë Milan Radojiçiq dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Kjo pasi, siç thotë ai, strukturat ilegale kanë rritur trysninë ndaj serbëve të Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Ibishi thekson se kërcënimin direkt të Beogradit, e dëshmon edhe tërheqja e kryetarit të Partisë të Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, nga gara për kryetar të Leposaviqit.

“Ai edhe vet është deklaruar dhe mendoj se kjo është me trysni, si kërcenim direkt regjimi i Beogradit në krye me Vuçiqin dhe ekstremistët serbë dhe është ndjerë i rrezikuar dhe momentin e fundit është tërhequr”, thotë Ibishi.

Derisa kanë kaluar rreth pesë orë nga hapja e qendrave të votimit, ai e vlerëson të qetë gjendjen e sigurisë në veri të vendit, për të cilën meritore e bën Policinë e Kosovës.

Derisa kanë kaluar rreth pesë orë nga hapja e qendrave të votimit, ai e vlerëson të qetë gjendjen e sigurisë në veri të vendit, për të cilën meritore e bën Policinë e Kosovës.

Pavarësisht paralajmërimeve dhe kërcënimeve nga pala serbe, Ibishi nuk pret që në zgjedhjet e 23 prillit të ndodhë ndonjë incident.

“Policia ka bërë planin operacional dhe po i ndërmerr të gjitha veprimet, duket edhe me prezencën në vendvotime, por edhe gjithandej, si në pjesët urbane, rurale, por edhe në pjesët e rrugëve. Mendoj se nuk duhet të ketë incidente nga ajo sikur është paralajmëruar edhe nga ‘Lista Srbska’ dhe ekstremistët serbë që do të bëjnë trysni që komuniteti serb të mos del, dhe t’i bojkotojë këto”, thotë Ibishi.

I pyetur nëse zgjedhjet në veri mund të shihen si mundësi që qytetarët serbë të çlirohen nga presioni i Radojiçiqit dhe Vuçiqit, Ibishi thotë se për këtë nevojitet kohë.

Eksperti i sigurisë, në intervistën për KosovaPress, komenton edhe prezencën e përfaqësuesve të Listës Serbe, Milan Radojiçiqit dhe Millorad Dodik-ut në Aeroportin e Batajnicës, me rastin e prezantimit të kapaciteteve të ushtrisë serbe.

Sipas tij, demonstrimi i aftësive të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe armëve të reja, në vendin ku janë zbuluar 744 trupa të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, përbën provokim dhe se në një situatë të tillë do të duhej të reagonte Bashkësia Ndërkombëtare.

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në zgjedhjet e 23 prillit, në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë./E.Krasniqi/

https://kosovapress.com/admin/ekskluzive-jabllanoviq-terhiqet-nga-gara-per-kryetar-te-leposaviqit/?fbclid=IwAR2JFUJ9xJ_9l2XBqnF_ScMlyP5YMAx3jBOaqB4A_SNvlt9sXkh8zt8jqrI
https://kosovapress.com/admin/kqz-jane-hapur-te-gjitha-qendrat-e-votimeve/
https://kosovapress.com/admin/zgjedhjet-ne-veri-policia-plani-operativ-per-siguri-po-realizohet-me-perpikeri/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bsot-zgjedhjet-ne-veri-te-vendit/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025