Filloi si projekt në vitin 2017, për të përfunduar si stadium në fund të vitit 2020, por stadiumi i qytetit në Gjilan është ende i pa përfunduar.
Në fillim të këtij viti ishte njoftuar se ishte arritur marrëveshja për rikonstruimin e stadiumit, por që sot është konfirmuar se kjo marrëveshje është shkëputur, përcjell KosovaPress.
Stadiumi i Qytetit të Gjilanit është një stadium multifunksional në Gjilan, ku përdoret kryesisht për ndeshje të futbollit nga ana e KF Gjilanit dhe KF Dritës në Superligën e Kosovës.
Statusin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e gjeni më poshtë.
Sot kemi ndërprerë kontratën për Stadiumin e Qytetit duke zhbllokuar kështu procesin dhe krijuar mundësinë për realizim sa më të shpejtë të projektit.
Nga muaji janar i vitit 2022 bashkë me MKRS-në jemi angazhuar të analizojmë thellësisht sfidat e paraqitura në projektin e Stadiumit të Gjilanit, në mënyrë që të dakordohemi për planin e veprimit dhe të mobilizojmë resurset e nevojshme njerëzore dhe financiare për dinamizimin e punimeve në përmbylljen e këtij projekti.
Kemi siguruar mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës për realizimin e procedurave të nevojshme administrative dhe sigurimin e buxhetit për realizimin e projektit të stadiumit të kategorisë së 4 në Gjilan”.