Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Driton Hyseni ka kritikuar drejtuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Gjatë raportimit të Bordit të ZRrE-së në Komisionin për Ekonomi, deputeti Hyseni tha se dështimet e performancës së operatorëve KEDS dhe KESCO për vitin 2022 nuk duhet të bëhen barrë për qytetarët me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Këtë pretendim të deputetit Hyseni, e ka mohuar kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu. Ai tha se shqyrtimi i jashtëzakonshëm ka ndodhur për shkak të kostos së lartë të importit të energjisë elektrike
Deputeti Hyseni po ashtu tha se sikur të kishin qenë me kohë nominimet për blerje nga ana e operatorëve nuk kish pas nevojë me u fut në zonën ku çmimet janë shumë të larta.
Sipas Hysenit, ZRrE me qejf po e bënë rishqyrtimin e tarifave për ngritjen e tarifave.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në mbledhjen e cila është paraparë të mbahet sot në orën 15:00, pritet të marrë vendim për tarifat e reja të energjisë elektrike.