Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot në një konferencë për media ka paraqitur të arriturat e këtij institucioni për vitin 2023, ku tha situata gjatë këtij viti ka qenë e qetë, përveç veriut të vendit ku kanë ndodhur disa sulme e incidente.
Për këto sulme, Hoxha tha se janë orkestruar nga shteti serb, ku janë sulmuar policia e Kosovës, KFOR-i, gazetarët e qytetarët.
“Situata e sigurisë së Kosovës në përgjithësi për gjatë vitit 2023 ka qenë e qetë, përveç në veri të vendi ku rendi dhe siguria ka qenë e cenuar dhe e brishtë nga sulmet e grupeve kriminale, terroriste në atë pjesë të cilat kanë qenë të motivuara dhe orkestruara nga Qeveria e Serbisë", tha ai.
Sipas tij, në veri ka pasur edhe djegie të automjeteve e sulme ndaj qytetarëve që tentonin të regjiistronin veturat e tyre në targa RKS.
“Një fushë që i kemi dhënë rëndësi të madhe sivjet është hetimi i krimeve të luftës, duke e ditur që dëshmitarët mund të vdesin. Kemi munduar të shtojmë dinamikën e hetimeve në këto krime. Kemi 14 raste të ngritura. Janë arrestuar 12 të dyshuar, janë ngritur 22 kallëzime penale,149 persona janë të dyshuar, si dhe 4 raste janë në hetim preliminar”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka përmendur edhe operacionet policore për hetimin e zbulimin e parave të falsifikuara, shpëlarje të parave dhe falsifikim te dokumenteve.