77 zyrtarë policor dhe staf civil kanë dhënë dorëheqje vitin e kaluar. Në stacionet policore në veri të vendit, dorëheqje kanë dhënë 11 zyrtarë policor, ndërkaq këtë vit nuk ka pasur raste të tilla. Kështu tha drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili për më shumë se tri orë ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë. Ai foli edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit, rastet e paraqitura pranë Policisë së Kosovës dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. Pozitë e opozitë kanë ngritur çështjen e kushteve jo të mira të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për çka u tha se në disa stacione janë duke operuar me numër të vogël të automjeteve.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është e qetë, por në pjesën veriore vazhdon të mbetet e brishtë.
Në paraqitjen e raportit të punës për vitin 2023, Hoxha para Komisionit për Çështje të Sigurisë theksoi se janë raportuar mbi 48 mijë raste pranë Policisë së Kosovës.
Tutje, para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha u shpreh se gjatë vitit të kaluar janë shënuar 96 raste të aksidenteve në trafikun rrugor me fatalitet.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha ngriti shqetësimin për numrin e personave që merren me fajde në Pejë.
Më tej, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci tha se në stacionin policor tek “Kodra e Trimave”, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po përballen me kushte jo të mira.