Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, janë valide dhe me fuqi obligative, pavarësisht se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq rishtaz e mohoi të njëjtën dhe zbatimin e saj. Sipas profesorit Hoti, Serbia do të pranojë të zbatojë marrëveshjen e Brukselit vetëm nëse mbështeten për muri nga aleatët ndërkombëtarë.
Hoti në një intervistë për KosovaPress, thotë se vendimi i Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët serbë të Kosovës që kanë pasaporta ilegale, ka qenë i gabuar dhe mund të sjell pasoja për integrimin e tyre në Kosovë. Ai flet edhe për emërimin e përfaqësuesit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Aleksandër Kasanof, rrugën euro-integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në Këshill të Evropës, si dhe diplomacinë kosovare gjatë qeverisë Kurti.
Ai deklaron se pavarësisht ndryshimit të emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, qasja do të jetë e njëjtë sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-ShBA-së.
Megjithëkëtë, Hoti shton se raportet ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe ShBA-së, kanë pësuar tronditje të mëdha.
Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, Hoti thotë se përfshirja në agjendë të Këshillit të Ministrave do të bëhet vetëm kur do të ketë hapa konkret për themelimin e Asociacionit.
Në anën tjetër, profesori Hoti është kritik ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Sipas tij, gjatë mandatit të saj kryediplomatja s’ka sjell asnjë njohje të re dhe as anëtarësim në organizata ndërkombëtare.