Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka folur lidhur me ngjarjen e ndodhur në Akademinë e Sigurisë, ku 56 studentë shfaqën simptoma helmimi.
Ai e ka cilësuar ngjarjen si sensitive, duke theksuar se policia është njoftuar pasi disa studentë janë paraqitur në spital me simptoma të lehta dhe jo të rënduara. Sipas tij, janë marrë menjëherë masa për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes së studentëve.
Hita bëri me dije se në kuadër të hetimeve janë arrestuar dy persona përgjegjës për administrimin dhe përgatitjen e ushqimit, ndërsa administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim. Ai sqaroi se aktiviteti i subjektit tregtar nuk është ndërprerë plotësisht, pasi kompania operon edhe në institucione të tjera.
“Aktiviteti i subjektit tregtar nuk është ndërprerë, pasi ka dhe disa institucione të tjera ku vepron. Shkeljet konkrete do të bëhen të ditura në vijim. Për momentin kemi marrë vetëm njoftimin që këta studentë janë helmuar. Edhe sot kemi vazhduar me të njëjtën kompani. Dje u bë bllokimi i lëndëve apo sasitë ushqimore të përdorura nga studentët. Kompania vazhdon të furnizojë studentet edhe sot. Do të vijojë më tej se si do të operohet”, tha ai.Policia ka arrestuar kuzhinierin dhe një teknologe ushqimi të kompanisë së kateringut që furnizonte Akademinë, ndërsa administratorja e saj është shpallur në kërkim. AKU ka kryer kontrolle, ka bllokuar produkte ushqimore dhe ka vendosur gjoba, ndërsa mostrat janë dërguar për analiza. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e ngjarjes dhe përgjegjësit.