Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që largon dinarin nga përdorimi dhe lejon vetëm euron si valutë është legjitime, por e pakohë, pavend dhe pakoordinuar me aleatët ndërkombëtarë. Sipas tij, aleatëve ndërkombëtarë iu ka humbur durimi me kryeministrin, Albin Kurti dhe se kjo situatë nuk do të kalojë pa pasoja.
Haziri në një intervistë për KosovaPress, kritikon kryenegociatorin për dialog, Besnik Bislimi për qasje të gabuar në këtë proces dhe gjuhë aspak diplomatike me aleatë. Sipas tij, ekzekutivi, rregulloren e BQK-së, e cila është çështje e brendshme e vendit, e ka bërë temë në dialogun e Brukselit.
Nënkryetari i LDK-së, vendimin për dinarin e sheh të ndërlidhur edhe me zvarritjen e zbatimit të obligimeve në dialog.
Sipas tij, “elefanti në dhomë”, është draft-statuti i Asociacionit, për çka s’po procedohet tutje nga ana e kryeministrit Kurti.
Në anën tjetër, Haziri kritikon qeverinë për dështim dhe stagnim në qeverisjen e brendshme.
Duke folur për zgjedhjet e reja në Kosovë, Haziri thotë se të gjitha sondazhet e brendshme e qesin LDK-në, shumë më lart se sondazhet e fundit. Sipas tij gara kryesore në zgjedhjet e ardhshme do të jenë në mes LDK-së dhe LVV-së, për vendin e parë.