U.d. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, pjesë e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kongresit Amerikan ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar se për popullin e Kosovës kjo mbështetje ka pasur rëndësi historike, politike dhe njerëzore.
Ajo falënderoi kongresmenin Self për mbështetjen e tij të qartë ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s, si dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se për Kosovën, anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe vendit të natyrshëm të Kosovës mes shteteve demokratike.
U.d. Presidentja Haxhiu vlerësoi gjithashtu praninë e kongresistit Subramanyam në këtë delegacion, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi, inovacioni dhe shërbimi publik.