Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ekipin e Kosovës në matematikë, pas pjesëmarrjes në Olimpiadën Evropiane të Matematikës, EMO 2026.
Ekipi u udhëhoq nga prof. asoc. dr. Valdete Rexhebeqaj-Hamiti, kryetare e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, ndërsa Kosova u përfaqësua nga nxënësit Ajan Hajrullahu, Lyron Celina, Vesa Xhymshiti, Ari Juniku, Shpendi Deva dhe Lekë Nikçi.
U.D. Presidentja Haxhiu i përgëzoi nxënësit për rezultatin e arritur dhe për përfaqësimin e Kosovës në një garë të rëndësishme ndërkombëtare të matematikës.
“Pjesëmarrja në gara të këtij niveli është sukses në vete. Kur kësaj i shtohen edhe rezultatet e arritura, medalja e bronztë e Ajanit dhe mirënjohjet e nderit për Lyronin dhe Vesën, atëherë ky sukses merr kuptim edhe më të madh. Ai flet për përkushtimin, disiplinën dhe potencialin e të rinjve tanë në matematikë. Suksesi i tyre është edhe sukses i Republikës së Kosovës”, citohet Haxhiu në komunikatë. Me këtë rast, ajo ndau mirënjohje për gjashtë nxënësit përfaqësues të Kosovës dhe për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës.Po ashtu, në takim u theksua se Kosova në vitin 2027 do të jetë organizatore e Olimpiadës Evropiane të Matematikës, ku Prishtina do të mirëpresë të rinj të talentuar nga vende të ndryshme të Evropës.
U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se mbështetja për nxënësit e talentuar është investim në dije, shkencë dhe në të ardhmen e Kosovës.