Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se qeveria është duke punuar për të rritur buxhetin për institucionet e drejtësisë me qëllim që të profilizohen policët, prokurorët dhe gjyqtarët në rastet e korrupsionit. Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës sot janë të pakorruptuara dhe se shkeljet brenda tyre nuk tolerohen.
Haxhiu ka folur në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s ku temë ishte “Kontributi i grave për paqen dhe sigurinë rajonale.
Ministrja e Drejtësisë ka folur për reforma ku ka theksuar vetingun në sistemin e drejtësisë që sipas saj është një prej reformave më të mëdha.
“Synimi ynë si qeveri është kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, prandaj puna dhe angazhimi jonë është fokusuar që Kosova të ketë drejtësisë të pavarur, funksionale e efikase. Kemi nisur një sërë reformash me qëllim që secili gjyqtar dhe prokuror të udhëhiqet nga pavarësia, profesionalizmi dhe integriteti moral dhe tash së voni një prej reformave më të mëdha të cilat i kemi nisur në fillim të këtij mandati, para një viti e gjysmë, është Vetingut në sistemin e drejtësisë dhe tash para pak kohësh ne kemi dërguar drafti ne amendamenteve kushtetuese për vetingun në sistemin e drejtësisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe tani jemi në përpjekje që ta ndërtojmë konsensusin me subjektet apo grupet parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta pasur mbështetjen për këtë reformë jashtëzakonisht të rëndësishme”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka folur edhe për dhunën në familje, në baza gjinore dhe dhunën ndaj grave për çka ka thënë se ndan shqetësimin e njëjtë me qytetarët se është shënuar rritje e këtyre rasteve.
Megjithëse konsiderohet se është rritur raportimi për këto raste, Haxhiu ka thënë se ende është një përqindje e vogël e grave dhe vajzave të cilat raportojnë dhunën.