Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi sot se pa procesin e vettingut s’do të ketë veprime serioze në luftimin ndaj krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Haxhiu në Komisionin për Integrime Evropiane tha se nën Qeverinë Kurti s’do të ketë situata kur një prokuror apo gjyqtar kërcënohet për lëndën që po e trajton.“Duhet shprehur zhgënjimin tim për raste që kanë vëmendjen publike sidomos dhe të cilat po dështojnë pranë institucioneve të drejtësisë... Si ka mundësi që për një zyrtar të lartë po parashkruhet lënda e korrupsionit, ndërsa për një qytetar që nuk ka ndonjë pozicion po janë shumë efikas. Pse nuk po munden të jenë efikas edhe në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. P.sh. rasti ‘Toka’, ‘Veteranëve’. siç e keni parë dje është kthyer sërish në shkallë të parë. Thuhet se janë bërë 13 gabime nga gjykata e shkallës së parë, konsideroj se rastet e tilla sikurse dhe ai i ‘Pronto’ sikur edhe rastet tjera nuk e kanë pasur vëmendje, seriozitetin nga institucionet e drejtësisë për të adresuar siç duhet...Në të kaluarën, sidomos në rastin e veteranëve kemi pasur hapur ndikime te prokurori Elez Blakaj, i cili fatkeqësisht u detyra të lëshojë vendin dhe largohet nga Kosova. Por me qeverinë tonë s’do të ketë situata apo rrethana që një prokuror apo gjyqtar kërcënohet për lëndën që po e trajton. Prandaj, po them se nuk kam besim se pa procesin e vettingut do të kemi veprime serioze në raport, sidomos me rastet e krimit dhe korrupsionit. Prandaj jemi duke e bërë një reformë të thellë të drejtësisë”, tha ajo.
Megjithatë, Haxhiu tha se janë të përkushtuar në zbatimin e reformave, kuadër të agjendës evropiane.
Gjatë pyetjeve, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Agon Batusha u interesua për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“A keni pas rast nga ndonjë shtet skeptik për liberalizim të vizave që ka kërkuar kritere shtesë në aspektin e drejtësie”, pyeti ai.
“Pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Francë, besoj se do të vazhdojë dialogu për t’i bindur ata në të drejtën e qytetarëve tanë që të lëvizin lirshëm. Në vazhdimësi na është bërë e padrejtë si shtet që vazhdojmë të na vendosen pengesa në këtë drejtim. Mirëpo jam e njoftuar me angazhimin e Qeverisë së Kosovës me shtetet skeptike në këtë drejtim dhe presim të kemi liberalizim të vizave për qytetarët. Unë nuk mund të flas sikur kanë folur qeveritë e kaluara me data”, tha Haxhiu.
Krahas kësaj, ministrja Haxhiu shprehu keqardhje që opozita nuk ishte gjatë raportimit të saj në komision.
Përkitazi me këtë, nënkryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, duke aluduar në deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se e njëjta hyri u nënshkrua sa për mëditje dhe doli nga mbledhja e komisionit.
“Ne e pamë që me të filluar kjo mbledhje një anëtare e opozitës hyri u nënshkrua dhe doli. Kjo është një çështje që duhet të diskutojmë, publikisht dua të kërkojë nga administrata të na sjellin një flet të re të nënshkrimeve dhe t’i japim fund nënshkrimeve sa për mëditje”, potencoi ajo.