Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar protestën e para 16 viteve ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, të cilët sipas Haxhiut, u bënë sakrifikuesit e shtetësisë “që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë”.
Haxhiu tha se e drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar, atë ditë u dhunua me shkopinj e plumba gome nga ana e policisë së UNMIK-ut, që për pasojë u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini.
Ministrja ka shkruar po ashtu se në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së Monit dhe Arbenit. Para 3 vitesh zyrtarisht si Ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra pë vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të prcedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune.
“Aktivistët po protestonin paqësisht atë ditë për ta mbrojtur vendin e tyre. Mbledhja e qytetarëve për protestë paqësore është e drejtë universale e garantuar edhe me konventa ndërkombëtare. Prandaj, për vrasjen e Monit dhe Arbenit, nuk do te rreshtim së kërkuari përgjegjësi. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, emrave që përherë do të jenë të gdhendur në pllakën e Kosovës së pavarur! Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.