Haxhiu: Gratë kontribuojnë për Kosovën çdo ditë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhiu: Gratë kontribuojnë për Kosovën çdo ditë
haxhiu grate
25/04/2026 - 13:54
Linku u kopjua


Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës, Albulena Haxhiu tha sot se kontributi i grave të Kosovës nuk matet vetëm në momente të mëdha historike, por edhe në punën e përditshme që ka mbajtur në këmbë familjen, komunitetin dhe vetë shoqërinë.

Ajo bëri kësi komente gjatë një fjalimi në Kuvendin Vjetor të 23-të të Anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës, ku vlerësoi rolin shumëvjeçar të këtij rrjeti në avancimin e të drejtave të grave, forcimin e demokracisë dhe ngritjen e standardeve të barazisë në vend.


Duke kujtuar marshin “Bukë për Drenicën” në pranverën e vitit 1998, ajo ndau një kujtim personal nga fëmijëria, kur pa nënën e saj dhe gratë e lagjes duke dalë me bukë në dorë në solidaritet me qytetarët e Drenicës.


“E kuptova se dhimbja e tjetrit nuk është e huaj, se kohëve të vështira u bëhet ballë, dhe se kur gratë përfshihen, shoqëria përparon”, tha Haxhiu, sipas një njoftimi nga presidenca, transmeton KosovaPress.


Ajo vlerësoi Rrjetin e Grave të Kosovës si një prej shembujve më të qartë të organizimit qytetar që ka kthyer forcën e heshtur të grave në ndikim publik, duke qenë për dekada zë i qartë për barazinë, mbrojtjen nga dhuna, pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe politika më të drejta.


Haxhiu theksoi se institucionet përfitojnë kur bashkëpunojnë me shoqërinë civile dhe me organizata që sjellin dije, hulumtime serioze dhe përvojën reale të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.


“Ligjet bëhen më të mira kur mbështeten në dije. Politikat bëhen më të drejta kur mbështeten në përvojë”, u shpreh ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026