Haxhilerët kosovarë kryejnë sot ritualin kryesor të Haxhit – qëndrimin në Arafat
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhilerët kosovarë kryejnë sot ritualin kryesor të Haxhit – qëndrimin në Arafat
bik arafat
26/05/2026 - 15:03
Linku u kopjua

Haxhilerët kosovarë po kryejnë sot obligimin kryesor të Haxhit – qëndrimin në rrafshnaltën e Arafatit, që konsiderohet shtylla themelore e këtij rituali të rëndësishëm fetar për besimtarët myslimanë.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Arafat, vend ku duhet të qëndrojë secili besimtar që kryen Haxhin, haxhilerët kosovarë kanë falur namazin e drekës dhe të ikindisë të bashkuara. Këtij rituali i priu kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti.

Ligjëratën qendrore për rëndësinë dhe vlerat e Haxhit e mbajti anëtari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Agim Hyseni, ndërsa lutjen (duanë) e Haxhit e udhëhoqi imami Remzi Haziri.

Sipas literaturës islame, qëndrimi në Arafat nga koha e drekës deri në perëndim të diellit konsiderohet periudha më e vlefshme e vitit për lutje dhe adhurim gjatë ditës. Ndërkaq, nata më e vlefshme për lutje konsiderohet Nata e Kadrit.

Dita e Arafatit paraprin festën e Kurban Bajramit, e cila shënohet të nesërmen.

Pas qëndrimit në Arafat, haxhilerët do të nisen drejt Muzdelifes, ku duhet të kalojnë një pjesë të natës, ose të qëndrojnë deri në orët e mëngjesit. Në këtë vend, ata mbledhin edhe guralecët që përdoren më pas në ritualin e gjuajtjes së xhemarateve në Mina, i njohur për kosovarët edhe si vendi ku gjuhet shejtani me gurë.

Në mëngjesin e ditës së Kurban Bajramit, haxhilerët vazhdojnë për në Mina, ku kryhet rituali i gjuajtjes së xhemres së madhe (gjuajtes së shejtanit). Mandej pason therja e kurbanit (haxhilerët kosovarë nuk marrin pjesë në këtë ceremoni), rruajtja ose shkurtimi i flokëve, si dhe “tavafi” – rrotullimi shtatë herë rreth Qabesë në Mekë.

Ritet e Haxhit vazhdojnë me “sajin”, që është ecja ndërmjet kodrave Safa dhe Merva, të cilat ndodhen pranë Qabesë, faltorës më të shenjtë për myslimanët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026