Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar sonte kandidatët për deputetë nga Prishtina për garën e zgjedhjeve nacionale më 9 shkurt 2025.
Haradinaj ka thënë se kryeqyteti meriton të shndërrohet në një metropol modern dhe të zhvilluar.
Haradinaj tha se anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.
“Me një rritje ekonomike 7% në vit, me pagë mesatare 1000 euro dhe pensione 500 euro, me ulje të TVSH-së në produktet bazike dhe me një fond special për punësimin e të rinjve, do të ndërtojmë ekonomi të fortë që i shërben çdo qytetari. Termocentrali i ri do të sigurojë pavarësinë tonë energjetike, ndërsa trefishimi i buxhetit për bujqësinë do të forcojë prodhimin vendor”, tha ai.“Drejtësia e pavarur, lufta e pa kompromis ndaj korrupsionit, sistemi shëndetësor cilësor me QKUK të reformuar dhe arsimi i financuar me 6% të GDP-së do të jenë themelet e shtetit tonë. Nga modernizimi i hekurudhave te ndërtimi dhe përfundimi i autostradave e rrugëve magjistrale; nga mbrojtja e prodhimit vendor te subvencionimi i eksportit - çdo projekt i yni ka një qëllim të vetëm: ndërtimin e një Kosove që fiton”, ka përfunduar Haradinaj.