Haradinaj nga Peja: Qeveria anti-shtet duhet të ndalet
Lexohet për: 3 min.
Ramush Haradinaj 2022 - Konferenca AAK (2 of 9) (4)
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është përcaktuar në rrugën e vet euro-atlantike dhe partneriteti me aleatët, veçmas me Amerikën, është i pandryshueshëm, pavarësisht kush mund të jetë në qeveri sot apo nesër.

Haradinaj në mbledhjen e kryesisë së partisë të mbajtur sot në Pejë, ka thënë se orientimi që ka marrë udhëheqja politike, po i rrezikon krejt të arriturat e deritashme të Kosovës. 

"Kosova sot është në udhëkryq, është në një fazë vendimtare politike. Orientimi që ka marrë udhëheqja politike, po i rrezikon krejt të arriturat e deritashme të Kosovës. Sot jemi në prag të humbjes së mbështetjes së partnerëve strategjikë, posaçërisht të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, që mund të ketë pasoja katastrofike për vendin.

Në një situatë të tillë, është obligim yni forcimi i alternativës politike që i jep fund “qeverisë anti-shtet të Albin Kurtit”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se koalicioni po rritet dhe do t’i ipet fund logjikës antikombëtare qeverisëse.

"Sot Kryesia e Aleancës, në qytetin ku edhe është krijuar, në Pejë, me histori mijëra vjeçare e kurrë e nënshtruar, por gjithmonë në ballë, sikundër edhe në luftën e fundit të luftës për liri e për Atdhe, e fillon ciklin e diskutimeve për veprimet konkrete të mobilizimit të saj dhe të shtrirjes e të forcimit të Bashkimit, i cili tashmë e ka krijuar bërthamën e vet me Nismën Social-Demokrate, Klubin e Intelektualëve E-30 dhe me Listën Konservatore. Ky bashkim politik do të rritet dhe nuk do të ndalemi deri sa ta krijojmë masën kritike që i jep fund kësaj logjike antikombëtare qeverisëse dhe aspak nuk është e rastësishme, pse nga Peja", është shprehur Haradinaj. 

I pari i AAK-së ka thënë se janë të vendosur që Kosovën ta përshtatin për t’u bërë pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe anëtare e NATO-s. 

"Kosova është përcaktuar në rrugën e vet euro-atlantike dhe partneriteti me aleatët, veçmas me Amerikën, është i pandryshueshëm, pavarësisht kush mund të jetë në qeveri sot apo nesër. Dhe për të ndodhur kjo, para nesh dalin disa detyra urgjente. E para ta rikthejmë dinjitetin e njeriut që po shkilet pamëshirshëm nga kjo kastë qeverisëse, demokracinë në vend, ta ndalim trendin shqetësues të emigrimit dhe Kosovën ta përshtatim për t’u bërë pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe anëtare e NATO-s", ka përfunduar Haradinaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025