Haradinaj: Masakra e Dubravës e dokumentuar por askush nuk është përballur me drejtësinë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrën e Dubravës në 24-vjetorin e saj.

Haradinaj ka thënë se ato ditë maji të vitit 1999 Serbia kreu krimin më mizor ndaj shqiptarëve.

"Për disa ditë me radhë, nga 19 deri më 22 maj 1999, ndodhi një ndër masakrat më makabre që pushtuesi serb bëri ndaj shqiptarëve. Ato ditë maji të vitit 1999, shteti serb kreu krimin më mizor e të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë, në burgun e Dubravës", ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se këto masakra janë mirë të dokumentuara por askush ende nuk është përballur me drejtësinë.

"Kjo masakër e shpërfaqë qartë mendësinë gjenocidale të shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre".

"Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara, ende askush nuk është përballur me drejtësinë. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne nuk duhet të ndalemi në betejën tonë për zbardhjen e të vërtetës", është shprehur Haradinaj.

I pari i AAK-së ka shtuar liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë

"Liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë! Sakrifica e të rënëve mbetet motivim për angazhim të gjithanshëm për ta dashur atdheun e për ta zhvilluar shtetin ashtu siç ëndërruan ata", ka përfunduar Haradinaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024