Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka kujtuar heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, në 41 vjetorin e vrasjes së tyre.
Haradinaj ka potencuar se 17 janari i lidhë tre viganët e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, me Gjergj Kastriotin, në të njëjtën nyje - flijimin për atdhe.
Zemra e themeltarit të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pushoi së rrahuri më 17 janar 1468. Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve. Po ashtu, sot kujtojmë heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që ranë po më 17 janar, 41 vjet më parë.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, duk shtuar se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë qenë ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi, që kanë bashkuar dhe prirë shqiptarët drejt çlirimit, deri në frymën e tyre të fundit.
“Ata ranë, por lanë trashëgim te mijëra të tjerë, planet e lirisë. Ata ishin arkitektët e saj.”, ka shtuar Haradinaj.
Në Lezhë, më 17 janar të vitit 1468 ka vdekur Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (63 vjeç), luftëtar, diplomat, burrë shteti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve. Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, kur ka vdekur, ishin rënduar me tensione, nga veprimtari e negociata jashtë dhe beteja pa pushim brenda vendit.