Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza deklaroi se nuk ka pasur vullnet të plotë politik nga partia fituese që vendi të ketë stabilitet institucional.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hamza shtoi se zgjedhjet janë të panevojshme, por pret rezultat më të mirë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai tha se që nga fillimi është përgjigjur në të gjitha ftesat për takime, duke kërkuar marrëveshje politike.
“Nuk kemi pasur marrëveshje paraprake politike, është kërkuar emri, fillimisht është thënë nuk do të ketë emra subjekti politik, kanë propozuar emra, pastaj e kanë ndërruar atë emër, kanë dalë me dy emra dhe unë e vërej dhe sigurisht shihet qartë, tashmë është konstatuar se nuk ka pasur një vullnet të plotë politik nga partia fituese që vendit me i dhënë stabilitet institucional. Nuk do t’i kishte pëlqyer me Partinë Demokratike, ka pasur mundësi me Lidhjen Demokratike, ka pasur mundësi me presidenten dhe për më tepër nuk e ka ftuar fare as në biseda partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Tani, ne e shprehim qëndrimin tonë, e dimë që janë dërguar disa shkresa, a do t’i trajtojë Gjykata Kushtetuese si të pranueshme apo të papranueshme në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka qenë i respektuar dhe i zbatuar nga PDK”, shtoi Hamza.
Hamza: Zgjedhjet totalisht të panevojshme, PDK do të ketë rezultat më të mirë se më 28 dhjetor
(Video)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç tha ajo, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Në mungesë kuorumi, mbrëmë Kuvendi ka dështuar të procedojë me votimin e presidentit, ku të propozuarit ishin Glauk Konjufca e Fatmire Kollçaku Mulhaxha. /Sh.Pajaziti