Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza ka paralajmëruar se Grupi Parlamentar i kësaj partie do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, teksa ka mohuar se kryeministri Albin Kurti dhe kryetari Memli Krasniqi janë dakorduar për datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Hamza në një konferencë për media tha se propozimi i tij për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka marrë mbështetjen e Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së PDK-së, pasi ajo do të sjellë më shumë investime në Kosovë.
Hamza tha se duhet të kthehet optimizmi te qytetarët dhe të krijohet klima e mirëbesimit nga investitorët ndërkombëtarë për të krijuar vende të reja pune dhe përmirësim të standardit të jetesës.
“Standardi i jetesës së qytetarëve tanë është rënduar viteve të fundit si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve, e cila nuk ka qenë e përcjellë me ngritjen e të ardhurave. Këto trende duhet të ndalohen, duhet të punojmë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë. Do të vazhdojmë të ballafaqohemi me rrezikun më të madh që ka Kosova, e që është emigracioni. Nëse e humbim fuqinë punëtore, kapitalin, vajzat, djemtë e rinj, burrat, gratë, personat e kualifikuar, atëherë ky do të jetë një dëm i madh për vendin”, tha Hamza.