Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Lëvizja Vetëvendosje si partia në pushtet po merret me propagandë duke iu kthyer të kaluarës me qëllim që ta mbuloj paaftësinë qeverisëse të saj. Edhe kjo parti po ashtu kërkon dorëheqjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi u shpreh se dështimet e Qeverisë së Kosovës në të gjitha fushat i ka përjetuar më së shumti qytetari i Kosovës. Sipas saj, si rezultat i mos veprimit të qeverisë, inflacioni ka arritur vlerën mbi 20 për qind.
Zëdhënësja e LDK-së ka thënë se kjo parti vazhdimisht ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë dorëheqjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Prej kur ka dalë skandali në medie kemi kërkuar dorëheqjen e tij, mirëpo fatkeqësisht edhe përkundër që mediat sllovene dhe kroate faktikisht postojnë dhe bëjnë publike skandalin me Martin Berishajn, ndërkaq nga ana e partisë në pushtet ende nuk kemi dorëheqje. Prandaj, edhe përkundër që kallëzimi penal i është ngritur Berishaj, ende nuk kemi dorëheqje, rekomandimi dhe propozimi ynë konkret ka qenë për shkak të mos dëmtimit të imazhit të Republikës së Kosovës të dorëhiqet Martin Berishaj”, tha Halimi.
“Regres dhe stagnim kemi edhe në politikën e jashtme. Siç dihet, nuk ka ndodhur asnjë njohje gjatë dy vjetëve të qeverisjes në pushtet, asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ka pasur vetëm skandale të llojit të Martin Berishajt, huqje të panumërta në Twitter dhe së fundmi letra komike e ministrit Sveçla dërguar Gjermanisë për të kërkuar lëvizje me pasaporta të skaduar për qytetarët e Kosovës... Lista e dështimeve është shumë më e gjatë kur flasim për policinë s’ka drejtor me muaj të tërë, kur flasim për energji ka 72 mijë euro humbje energjie çdo ditë, kur flasim për drejtësinë kemi vjedhje provash në Institutin e Mjekësisë ligjore, kur flasim për nepotizëm ka pasur punësime masive të familjarëve të ministrave dhe deputetëve të pushtet duke kulmuar me super skandalin e punësimeve në KEK, kushërinjtë mesa duket nuk ishin vetëm për dasma, ishin edhe për borde e ndërmarrje publike e për pozita tjera shtetërore”, tha Halimi.
Sa i takon pjesës veriore të vendit, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi u shpreh se nga partia në pushtet për barrikaduesit dhe sulmuesit e policisë në atë pjesë të Kosovës ka pasur amnisti dhe lirim e arrest shtëpiak për personat e akuzuar për terrorizëm.