Ministri francez për Çështje Evropiane, Benjamin Haddad, është përkujdesur të shkruaj në plartformën X për çdo takim që pati të hënën dhe të martën në Kosovë.
Në postimin e parë të publikuar pas mbërritjes në Prishtinë, Haddad bëri të ditur se vizita kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Haddad u takua me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin diskutoi për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Në fokus të bisedës, sipas postimit të tij të dytë që lidhej me këtë takim, ishin Lojërat Mesdhetare, frankofonia, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, bashkëpunimi gjyqësor dhe reformat.
Ai nënshkroi një marrëveshje për huazimin e 60 milionë eurove për Kosovë, për financimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”.Ministri parisien tregoi edhe për takimet që pati edhe me përfaqësues të partive kryesore parlamentare – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) duke thënë se “pluralizmi politik është jetik për jetën demokratike të Kosovës dhe për të ardhmen e saj evropiane”.

Në kuadër të vizitës, Haddad vizitoi edhe kontingjentin francez në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ku shprehu mirënjohje për ushtarët francezë të angazhuar në vend.
Përmes këtyre postimeve, ministri francez përcolli mesazhin se Franca synon të thellojë bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme, duke e lidhur këtë me mbështetjen për stabilitetin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. /KosovaPress/