Manchester City ka mposhtur West Ham me rezultat 1:3 në udhëtim në xhiron e tretë të Premier ligës angleze në futboll.
Sulmuesi norvegjez Erling Haaland realizoi het-trik duke shënuar në minuta 10’, 30’ dhe 84’.
Ai shënoi golin e parë me një asistim nga Bernardo Silva, i cili e lejoi të dilte i vetëm ndaj portierit Alphonse Areola dhe goditi në këndin e poshtëm.
Skuadra vendase barazoi në minutën 19’, kur mbrojtësi i Cityt, Ruben Dias e ridrejtoi topin në rrjetën e tij pas një harkimi. Por Haaland shpejt ia riktheu avantazhin skuadrës së Pep Guardiola. City luajti një aksion të shpejtë pasimesh të shkurtra, Rico Lewis pasoi topin te Haaland, i cili shpërtheu nën traversë.
Ai shënoi sërish në përballje me portierin e West Ham, kësaj radhe Lukasz Fabianski, i cili zëvendësoi Areolën në pjesën e parë.
Norvegjezi ka shënuar shtatë gola në vetëm tri ndeshje të kampionatit anglez këtë sezon. Në raundin e parë ai shënoi kundër Chelseat (0:2), dhe më pas ishte i saktë tri herë ndaj Ipswich (4:1). City prin në tabelë me maksimumin e nëntë pikëve.