Performanca e sektorit financiar në Kosovë, planet e Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2024 e tutje, avancimi i legjislacionit në fushën financiare ishin tema të diskutimit ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane dhe guvernatorit Ahmet Ismaili.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, falënderoi guvernatorin Ismaili për gatishmërinë dhe sinqeritetin për të diskutuar me përfaqësues të sektorit privat, duke ofruar edhe gatishmërinë e Odës Amerikane për dialog konstruktiv me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
“Ai tha se aktivitetet e Bankës Qendrore për vitin 2024 dhe vitet në vijim bazohen në strategjinë e re pesëvjeçare të institucionit i cili ai drejton, e prioritete të së cilës Strategji përfshijnë digjitalizimin, pagesat e shpejta (instant), rritjen e konkurrencës ne sektor, qasjen ne financa dhe një politikë gjithëpërfshirëse. Anëtarësimi në Zonën e Vetme te Pagesave te Bashkimit Evropian (SEPA), listimi i Kosovës në platformat globale te pagesave elektronike, si dhe mundësimi i pajisjes me Kartonin e Gjelbër, ishin çështje u diskutuan po ashtu. Guvernatori ftoi edhe komunitetin e biznesit që të identifikojë zgjidhje të mundshme dhe bashkëpunuese për të adresuar sfidat dhe çështjet aktuale në interes të vendit”, citohet në komunikatë Ismaili.
Guvernatori bëri edhe vlerësimet më të larta për Qeverinë Amerikane, për rolin e rëndësishëm në fuqizimin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve brenda industrisë financiare në vend. Në këtë aspekt ai përmendi edhe iniciativën për marrjen e vlerësimit kreditor të Kosovës, i cili po bëhet me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). USAID po ndihmon po ashtu edhe në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, sipas Guvernatorit.