Gruaja amerikane kaloi 43 vjet në burg, gjykata konstatoi se ajo është e pafajshme
Lexohet për: 3 min.
gw33g3
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Një grua nga Misuri, e cila kaloi 43 vjet në burg, është shpallur e pafajshme pasi një gjykatës zbuloi se kishte prova "të qarta dhe bindëse" se ajo ishte e pafajshme.

63-vjeçarja Sandra Hemme u dënua me burg të përjetshëm për vrasjen e Patricia Jeschka, bibliotekare në Saint Joseph.

Vrasja ndodhi në vitin 1980 dhe Hemme u dënua pasi kishte dhënë deklarata në polici duke e inkriminuar veten. Megjithatë, Hemme ishte e sëmurë mendore në atë kohë. Të premten, gjykatësi i qarkut të Livingston, Ryan Horsman vendosi se "provat" e lidhin drejtpërdrejt oficerin e policisë lokale me vrasjen e bibliotekares.

Polici i përmendur më vonë përfundoi në burg për një krim tjetër dhe ndërroi jetë. Hemme duhet të lirohet brenda 30 ditëve, përveç nëse prokurorët vendosin ta rigjykojnë atë, tha gjykatësi Horsman.

Vendimi pasoi një seancë provash në janar, ku ekipi ligjor i Hemme paraqiti argumente që mbështesin pafajësinë e saj. Dënimi me burg përfaqëson dënimin e gabuar më të gjatë të njohur të një gruaje në historinë e SHBA-së, sipas avokatëve të Hemme.

“I jemi mirënjohës gjykatës për njohjen e padrejtësisë së rëndë që zonja Hemme ka vuajtur prej më shumë se katër dekadash”, thanë avokatët. Hemme fillimisht u deklarua fajtor për vrasje në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje, shkruan Guardian.

Dënimi i parë u rrëzua në apel, por ajo u dënua sërish në vitin 1985 pas një gjyqi njëditor, ku prova e vetme kundër saj ishte “rrëfimi i saj”. Në një peticion prej 147 faqesh që kërkon lirimin e saj, avokatët argumentuan se autoritetet injoruan deklaratat "kontradiktore" dhe "faktikisht të pamundura" të Hemme.

Hemme, e cila në atë kohë ishte 20-vjeçare, po trajtohej në një spital psikiatrik për përdorim droge. Gjatë një sërë intervistash ajo ka dhënë deklarata kontradiktore për vrasjen, theksuan avokatët.

Detektivët vunë re se Hemme dukej "e hutuar" dhe nuk mund t'i kuptonte plotësisht pyetjet e tyre.

Steven Fueston, një detektiv në pension në Departamentin e Policisë Saint Joseph, dëshmoi se ai ndaloi një nga intervistat sepse Hemme "nuk dukej plotësisht koherente". Policia "shfrytëzoi sëmundjen e saj mendore dhe e detyroi të bënte deklarata të rreme ndërsa ishte e qetësuar dhe me antipsikotikë," thanë avokatët.

Ata shtuan se autoritetet fshehën prova që tregonin se vrasësi ishte Michael Holman, atëherë një oficer policie 22-vjeçar që u përpoq të përdorte kartën e kreditit të viktimës. Kamioni i Holmanit u pa pranë vendit të krimit dhe në posedim të tij u gjetën një palë vathë të identifikuar nga babai i viktimës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025