Kina nuk ka financuar projekte të reja infrastrukturore në Rusi prej muajsh, pasi Pekini është i preokupuar me parandalimin e një krize financiare në vend.
Financimi dhe investimet përmes projekteve në kuadër të Iniciativës Botërore të Rripit dhe Rrugës së Kinës (BRI) u ulën në 28.4 miliardë dollarë në gjashtë muajt e parë të 2022, rreth 1 miliard dollarë më pak se 29.4 miliardë dollarë të shpenzuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas një raporti nga Universiteti Fudan i Shangait.
Mungesa e aktivitetit në Rusi sugjeron që kompanitë kineze mund të kenë frikë se do të bien viktimë e sanksioneve dytësore të vendosura kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë, pavarësisht se Rusia dhe Kina këmbëngulën në prag të luftës se miqësia e tyre "nuk njeh kufij".
BRI është një plan për një numër projektesh infrastrukturore që Kina miratoi zyrtarisht në 2013 në një përpjekje për të zgjeruar ndikimin kinez në Azi, Afrikë, Amerikën e Jugut dhe pjesë të Evropës Lindore.
Por pas vitit 2017, investimet kineze janë në rënie, si pasojë e kontrolleve gjithnjë e më të rrepta të kapitalit në vetë Kinën, si dhe polemikave rreth disa projekteve që hasën në vështirësi. Investimi i Kinës në termocentralet me qymyr ka ngecur, duke eliminuar një nga burimet e fundit kryesore të financimit për karburantin.
Autorët e raportit thonë se më shumë se gjysma e projekteve për ndërtimin e termocentraleve me qymyr, si pjesë e planit të BRI-së, tani janë pezulluar, transmeton Telegrafi britanik.
Në 6 muajt e fundit, Pekini investoi pothuajse 11.8 miliardë dollarë në investime dhe 16.5 miliardë dollarë në kontrata ndërtimi si pjesë e projekteve të BRI. Energjia dhe transporti janë sektorët që kanë marrë pjesën më të madhe të parave, rreth 73% e gjithçka të kontraktuar nga janari deri në qershor 2022.
Arabia Saudite mori rreth 5.5 miliardë dollarë fonde të reja, ndërsa Iraku mori rreth 1.5 miliardë dollarë. Që nga fillimi i programit në vitin 2013, Rusia ka qenë marrësi i dytë më i madh i investimeve në sektorin e energjisë.