Vetingu po vazhdon të vlerësohet si e vetmja mundësi që të ketë përmirësim të sistemit të drejtësisë në vend. Megjithëse Ministria e Drejtësisë ka proceduar në qeveri koncept-dokumentin për vetingun gjatë vitit të kaluar, përballja e gjyqtarëve dhe prokurorëve me vetingun duket se nuk do të ndodhë gjatë këtij viti.
Skepticizëm për një gjë të tillë shprehin organizatat që monitorojnë sistemin e drejtësisë, të cilat vlerësojnë se do të marrë kohë përgatitja e bazës ligjore dhe ndryshimet kushtetuese.
Ministria e Drejtësisë thotë se nuk mund të vazhdohet me amendamentet kushtetuese pa marrë opinionin e Komisionit të Venecias, të cilin potencoi se presin ta marrin tek në muajin mars. Sipas MD, nuk ka interes Kosova që të mos ketë konsultim me Venecian për një çështje shumë të rëndësishme siç është Vetingu. Gjithashtu, është bërë e ditur se ministrja Haxhiu ende nuk i ka takuar paritë opozitare në Kuvend për të diskutuar rreth kësaj reforme.
Pjesë e grupit punues për përgatitjen e bazës ligjore për vetingun është edhe Arton Demhasaj, nga organizata Çohu, i cili thotë se në bazë të procedurave që janë duke i zhvilluar nuk pritet që të paktën deri në fund të këtij viti të ketë ndonjë proces efektiv të vetingut.
Edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se gjatë këtij viti do të bëhen vetëm përgatitjet ligjore për procesin e vetingut.
Zekaj potencon se e vetmja mënyrë që sistemi i drejtësisë të "këndellet" është vetingu dhe si i tillë thotë se duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Për një reformë të tillë, Zekaj thotë se i mbetet qeverisë që të krijojë konsensusin e nevojshëm dhe ta bëjë të qartë për faktorin ndërkombëtar se vetingu do te organizohet vetëm për qëllim të rritjes së integritetit të sistemit te drejtësisë.
Qeveria e Kosovës me 13 tetor 2021 ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, i cili i rekomandon Qeverisë miratimin e opsionit që rekomandon vetingun me ndryshime kushtetuese nga një trup ad-hoc dhe i njëjti më pas vazhdon vlerësimin e vazhdueshëm në kuadër të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.