Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, kërkohet reduktimi i kohës për paraqitjen e provave
Lexohet për: 3 min.
gjykata-speciale-200323
1 vit më parë
Linku u kopjua

Dy javë para fillimit të gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trupi gjykues ka kërkuar edhe njëherë nga palët që të reduktojnë kohën e paraparë për paraqitjen e provave. Deri tani, prokuroria ka njoftuar se do t’i ketë 312 dëshmitarë dhe sipas trupit gjykues del se do të duhen gjashtë vjet e gjysmë për t’i përfunduar ata.

Kryetari i turpit gjykues, Charles L. Smith ka thënë se kjo periudhë është e tepërt.

“Bazuar në informacionin që na është paraqitur dhe faktin që kemi 312 dëshmitarë, që është numri i fundit që na ka raportuar ZPS, përfshirë pyetjet nga pala kundërshtare, i bie që duhen 6.5 vite për t’i përfunduar, turpi gjykues mendon se 6.5 vite vetëm për provat e ZPS-së është e tepërt, e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë përpara dhe kemi thënë që ZPS të reduktojë përmasën e provave të veta dhe turpi gjykues mendon që edhe mbrojtja duhet të reduktojë kohën që i nevojitet për të kundër-pyetur dëshmitarët”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Ai ka thënë se prezantimi i provave nga prokuroria mund të zgjasë më shumë se që është parashikuar.

Ndërsa, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se synojnë t’i rishikojnë përllogaritjet kohore për 12 dëshmitarët e parë.

Në anën tjetër, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se do të përpiqen të shkurtojnë kohën e tyre, por sipas tij, kjo varet nga ajo çka thonë dëshmitarët.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se kanë parashikuar rreth 25 orë për 12 dëshmitarët e parë.

Por, sipas avokatitGeoffrey Roberts, i cili mbron Rexhep Selimin, përmbledhjet e dëshmitarëve që po i paraqet prokuroria përfshijnë aspekte që janë jashtë kuadrit të aktakuzës.

Ndërsa, mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aydan Elis ka thënë se mënyra për të shkurtuar kohën është që prokuroria të thërras më pak dëshmitarë.

Lidhur me kohën e gjatë që parashihet të marrë ky gjykim, avokati Ben Emmerson ka thënë se ka kohë që e kishte paralajmëruar një situatë të tillë.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues ka thënë se do të kufizojnë kohën, nëse vlerësojnë se ka materiale apo pyetje të tepërta nga palët. 

Ndërkaq, nga mbrojtësi i viktimave është thënë se nuk mund të reduktojnë kohën e paraparë për pyetjet e tij, që është rreth 2 orë.

Gjykimi i madh do të fillojë më 3 prill në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Në paraqitjet e tyre para gjykatësit e procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm./G.Kadrija

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024