Gjykata Speciale është larg nga një institucion juridik efikas, thotë Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi. Ajo thotë se kjo gjykatë ka shumë mangësi sa i përket transparencës derisa shpreh shqetësim se seancat e mbyllura mund të nxisin dëshmitarët që të flasin çfarë të duan në gjykatore. Në tetë vjetorin e krijimit të Speciales, Tromp tregon nëse kishte motiv të fortë për këtë vendim, si dhe çka pret nga gjykimi i madh, “Thaçi dhe të tjerët”.
Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, thotë se e kupton pse Kuvendi i Kosovës vendosi t’i përmbushë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti të Shteteve të Bashkuara, për t’i krijuar Dhomat e Specializuara dhe t’i transferojë ato në Holandë.
Në Gjykatën Speciale deri tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala e Salih Mustafa, e ndaj këtij të fundit në dhjetor të vitit të kaluar është shqiptuar dënim fajësie në shkallë të parë, me 26 vjet burgim.
Tromp e konsideron këtë shembull ekstrem të drejtësisë dhe sipas saj dënimi është shumë i lartë krahasuar me numrin e viktimave të supozuara si dhe periudhën që mbulon aktakuza.
Deri tani, në këtë çështje gjyqësore janë dëgjuar 15 dëshmitarë të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe vetëm dy prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse, për dallim nga të tjerët që përveç se ishin të mbrojtur, dëshmuan në seanca tërësisht të mbyllura për publikun.
"Këto janë çështje shumë madhore dhe pika shqetësuese kur bëhet fjalë për efikasitetin e kësaj gjykate dhe padyshim ritmin e ngadaltë të gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve për të ardhur në procedurë gjyqësore, sepse kanë qenë në paraburgim për më shumë se dy vjet. Nëse vërtet dëshironi që një gjykatë të lavdërohet për efikasitetin e saj, atëherë duhet të jetë një kohë e arsyeshme që nga momenti që paditë ngrihen, të akuzuarit vendosen në paraburgim, presin gjykimin dhe më pas gjykimi duhet të jetë sa më i shpejtë dhe efikas. Deri më tani nuk kemi parë asnjë nga këto”, thotë ajo.
Ajo thekson se transparenca duhet trajtuar si një nga elementet më të rëndësishme.
Derisa sipas prokurorisë, seancat e mbyllura kërkohen për të mbrojtur dëshmitarët, Tromp thotë se në këtë mënyrë çdo kush mund të dalë të flas çka të dojë në gjykatore ndërkohë që pamundësohet të ketë masë kritikuese nga jashtë.
Madje sipas saj, aktgjykimet e bazuara në seanca të mbyllura potencialisht dëmtojnë sistemin ndërkombëtar të drejtësisë.
“Pra, çdo aktgjykim në këtë rast, i bazuar në seanca dërrmuese të mbyllura dhe prova të redaktuara, do të cenonte gjykimin eventual, sigurisht edhe dënimet, por do të cenonte jo vetëm këtë gjykatë, por do të dëmtonte potencialisht sistemin ndërkombëtar të drejtësisë", shton Tromp.
Dy vjet janë paraparë vetëm për çështjen e ZPS e cila ka paralajmëruar qindra dëshmitarë në këtë çështje gjyqësore ku pretendohen se janë 140 viktima pjesëmarrëse.
Tromp e ka vështirë të parashikojë rrjedhën e këtij procesi meqë seancat e deritanishme ishin pothuajse tërësisht të mbyllura, por thekson se bazuar në aktakuzë dhe shtrirje kohore, përfundimi do të duhej të ishte me lirim nga akuzat për Thaçin dhe të tjerët.
Tromp flet edhe për mungesën e aktakuzave të reja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, derisa thekson se prokuroria po ka vështirësi në trajtimin e gjashtë rasteve që aktualisht janë para kësaj gjykate.
Intervista e plotë është në sistemin me parapagim.
Në këtë institucion, që funksionon me ligje të Kosovës, shërbejnë prokurorë e gjykatës të huaj.
Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, për një periudhë kohore nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Ndërsa rast i ndarë është ai i Pjetër Shalës i cili gjithashtu është në fazën e gjykimit.
E gjykimi ka përfunduar ndaj Salih Mustafës, rast ky i cili është në Apel, pas vendimit të shkallës së parë me 26 vjet burgim.