Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronave
Lexohet për: 3 min.
0 . Përparim Rama 250522 (2)
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar.

Departamenti për Çështje Administrative i kësaj Gjykate e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ashtu që ka vendosur që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”.

Duke aprovuar kërkesën e IKD për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, Gjykata vendosi se ky vendim nuk do të ekzekutohet, deri në momentin kur Gjykata të vendosë mbi meritat e këtij rasti.

Më 25 janar 2024, IKD ka parashtruar padi, me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës nr. 01-20/04-236518/23, i datës 26.12.2023, për këmbimin e pronës komunale, konkretisht parcelës kadastrale, nr. 01998-1, me sipërfaqe të përgjithshme 208318 m2 (Zona Kadastrale në Çagllavicë), dhe kalimin e kësaj prone në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit, me pronën, konkretisht parcelat kadastrale, nr. 00578-4, me sipërfaqe 3426 m2 (Zona Kadastrale Zllatar), me pronar Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit dhe kalimn e kësaj prone në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Gjykata gjeti se me propozimin për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, IKD ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sjellte dëm vështirë të riparueshëm. Tutje, Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as nuk i sjell dëm të madh palës kundërshtare apo personit të interesuar. Përkundrazi, Gjykata gjeti se pikërisht shtyrja e ekzekutimit të vendimit paraqet interes publik.

Kështu, Gjykata gjeti se IKD ka argumentuar mjaftueshëm përmbushjen e kushteve ligjore për aprovimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, derisa Gjykata të vendosë përfundimisht lidhur me ligjshmërinë e vendimit të kontestuar përkitazi me padinë e IKD.

Më 20 janar 2024, IKD kishte reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025