Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve për riklasifikimin e materialit dëshmues në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, raporton Betimi për Drejtesi
Në vendim të gjykatës thuhet se mbrojtja e Veselit, mbrojtja e Thaçit dhe mbrojtja e Krasniqit parashtrojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), pa dhënë arsye, i ka klasifikuar si konfidenciale të gjitha materialet dëshmuese të zbuluara deri më tani te mbrojtja, duke shkelur kështu rregullën 83(1) të Rregullores dhe në përgjithësi, të drejtën e të akuzuarit për një gjykim të drejtë dhe publik, siç parashikohet, ndër të tjera, në nenin 21(2) të Ligjit.
Në anën tjetër, thuhet se ZPS përgjigjet se Mbrojtja e keqkupton qëllimin e parimit të publicitetit të procedurave dhe se në fazën aktuale paraprake të procedurës, në veçanti, një klasifikim konfidencial mbetet i përshtatshëm për një pjesë të konsiderueshme të sendeve provuese, duke përfshirë sendet që mund të duken se të janë publike.
Tutje, thuhet se megjithatë, ZPS-ja “këshillon që do të rishikojë, dhe kur është e përshtatshme, do të rishikojë klasifikimin e materialeve provuese përpara fillimit të gjykimit dhe […] [që] klasifikime të tilla do të mbeten nën shqyrtim gjatë gjithë procedurës.
“Për më tepër, gjyqtari i procedurës paraprake rikujton vendimin kuadër për zbulimin e provave dhe çështjet e ndërlidhura (“Vendimi kuadër për zbulimin”), i cili specifikon se “[…] gjatë zbulimit të provave, palët do të përcaktojnë nivelin e duhur të klasifikimit të çdo sendi dhe do të regjistrojë provat si publike, përveç nëse ekzistojnë arsye për të klasifikuar materialin ndryshe, në përputhje me Rregullin 83(1) të Rregullave”, thuhet në këtë vendim.
Sipas vendimit, për një pjesë të konsiderueshme të materialit dëshmues të zbuluar, në veçanti materialet e lidhura me dëshmitarët (deklaratat e marra nga ZPS dhe institucionet e tjera, si dhe materialet e lidhura me ato deklarata) ose materialet e marra nga institucione të tjera ndërkombëtare, gjyqtari i procedurës paraprake ka urdhëruar masat mbrojtëse pas shqyrtimit të arsyetimeve të duhura të ofruara nga ZPS.
Ndërkaq, thuhet se për sa i përket materialit që është i disponueshëm publikisht, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se, pavarësisht nga disponueshmëria e tij publike, mund të ekzistojnë arsye për klasifikimin konfidencial të një materiali të tillë në procedurat para Dhomës së Specializuar.
“Për shembull, materiali i disponueshëm publikisht mund të duhet të mbahet konfidencial, në këtë fazë: (i) për të mbrojtur sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e dëshmitarëve, viktimave që marrin pjesë në procedurë dhe personave të tjerë në rrezik për shkak të dëshmive të dhëna nga dëshmitarët e Dhomave të Specializuara; ose (ii) sepse disa detaje të përfshira në të ose përfundimet që ZPS nxjerr prej tyre nuk janë (ende) në domenin publik”, thuhet në këtë vendim.
“Mbrojtja pretendon se riklasifikimi është i nevojshëm për të bërë efektive të drejtën e të Akuzuarit për publicitet. Ndërsa publiciteti i procedurës është një e drejtë themelore e të akuzuarit sipas nenit 21(2) të ligjit, gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se kjo e drejtë nuk është absolute, por i nënshtrohet kufizimeve të nevojshme për mbrojtjen e interesave të tjera, duke përfshirë sigurinë e dëshmitarëve”,thuhet në këtë vendim.
Gjithashtu, thuhet se për më tepër, provat nuk diskutohen në fazën paraprake, por në gjykim dhe se si rezultat, materiali provues mund të mbetet konfidencial në fazën paraprake, siç përshkruhet më sipër.
Sipas vendimit, hetimet të mbrojtjes janë duke u zhvilluar për disa muaj, ekziston një kornizë për trajtimin e informacioneve konfidenciale dhe transmetimi i dosjes së lëndës në një trup gjykues do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Në fund thuhet se gjykata refuzon kërkesën në masën që kërkon nga gjyqtari i procedurës paraprake të urdhërojë tani riklasifikimin e materialeve provuese jo-konfidenciale.
Ndërkaq, po ashtu urdhërohet ZPS, që kur i zbulon mbrojtjes materiale të tjera jo-konfidenciale, të përcaktojë nivelin e duhur të klasifikimit, të tregojë arsyet për çdo klasifikim jopublik dhe të tregojë nëse dhe kur ky material jo-konfidencial mund të riklasifikohet, në përputhje me Rregullën 83(1) të Rregullave.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi