Gjykata dënon Pal Lekajn për rastin e 53 milionëshit, mbrojtja paralajmëron apelimin e vendimit
Lexohet për: 3 min.
gjyqtarja-310124
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në lidhje me rastin e pagesës prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke i dënuar së bashku me dhjetë vjet e shtatë muaj burgim.

Ish ministri i Infrastrukturës, njëherësh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u dënua me tre vjet e tetë muaj burgim efektiv, ish këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha, u dënua po ashtu me tre vjet e tre muaj burgim, ndërkaq, Nebih Shatri në cilësinë e ish sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri u dënua me 1 vit e tetë muaj, kurse Besim Tahiri, si drejtor i prokurimit publik në MI u dënua me 1 vit e tetë muaj burgim. Të njëjtëve po ashtu iu shqiptua dënim plotësues për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në Administratën Publike dhe shërbime publike. Dënimi ndaj të akuzuarve do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Në shpalljen e aktgjykimit, gjyqtarja Violeta Namani, tha se të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në bashkëkryerje.

Duke elaboruar aktgjykimin, gjyqtarja Namani tha se të akuzuarit me dashje dhe paramendim kanë tejkaluar kompetencat zyrtare, duke bërë pagesë të pabazuar shtesë prej 38 milionë euro, në dobi të kompanisë Bechtel-Enka.

Në anën tjetër, pas përfundimit të seancës, mbrojtja e të akuzuarve e konsideruan skandaloz këtë vendim, derisa bënë të ditur se do të apelojnë në shkallën e dytë.

Musa Damati, avokat i ish ministrit Pal Lekaj, u shpreh i bindur se shkalla e dytë do të ndryshojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Po ashtu edhe Afrim Saliu, avokat i Eset Berishës, tha se ky vendim i sotshëm i jep të drejtën kompanisë Betchel Enka të iniciojë procedura ndaj Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024