Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi të premten Izraelin që të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake në Rafah, një qytet në Rripin jugor të Gazës, ku dërgoi forcat në fillim të majit.
Urdhri, i miratuar nga paneli prej 15 gjyqtarësh me një votim 13-2, erdhi një javë pasi u kërkua nga Afrika e Jugut si pjesë e rastit të saj që akuzonte Izraelin për shkelje të Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
GJND tha se modifikimi në urdhrin e saj të 28 marsit, i cili urdhëronte "sigurimin e papenguar" të ndihmës për Gazën, ishte në funksion të ndryshimit të rrethanave për shkak të ofensivës në Rafah, ku palestinezët e zhvendosur ishin strehuar nga lufta që filloi në tetor. Sipas agjencive të OKB-së, më shumë se 800,000 janë larguar nga qyteti për shkak të pushtimit tokësor.
"Gjykata vëren se Izraeli nuk ka dhënë informacion të mjaftueshëm në lidhje me sigurinë e popullatës gjatë procesit të evakuimit, ose disponueshmërinë në zonën Al-Mawasi të sasisë së nevojshme të ujit, kanalizimeve, ushqimit, ilaçeve dhe strehimit për 800,000 palestinezët që janë evakuuar deri më tani, si pasojë, Gjykata është e mendimit se Izraeli nuk i ka trajtuar dhe shpërndarë sa duhet shqetësimet e ngritura nga ofensiva e tij ushtarake në Rafah.
GJND gjithashtu ripohoi masat e saj të përkohshme të treguara në urdhrat e saj të mëparshëm.
Përveç kësaj, GJND urdhëroi mbajtjen e hapur të kalimit kufitar Rafah "për ofrimin e papenguar në shkallë të shërbimeve bazë të nevojshme urgjentisht dhe ndihmës humanitare".
Ajo gjithashtu urdhëroi Tel Aviv-in që të paraqesë një raport mbi masat e marra sipas urdhrit të fundit brenda një muaji.
Gjykata përsëriti shqetësimin e saj për fatin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit të tij të 7 tetorit 2023 dhe bëri thirrje për lirimin e tyre "të menjëhershëm dhe pa kushte". /AA