Gjermania nis fuqishëm garën për kampion
Lexohet për: 2 min.
Germany v Scotland - Opening match of EURO 2024
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Të përzgjedhurit e Julian Nagelsmann kanë nisur me fitore bindëse garën për titullin e kampionit të ri të evropianit në Gjermani.

“Pancirët” sonte në “Allianz Arena” të Munihut u treguan të përgatitur në çdo aspekt në sfidën e parë të grupit A ndaj përfaqësueses së Skocisë së drejtuar nga trajneri Steve Clarke.

Tre golat e parë ranë qysh në 45 minutat e para. Serinë e golave e hapi Florian Wirtz pas vetëm dhjetë minutave lojë. Jamal Musiala ngriti epërsinë prej dy golash në favor të nikoqirit në minutën e 19-të.

Gjermania arriti te goli e tretë përmes Kai Havertz nga pika e bardhë në minutën e parë të kohës shtesë, pasi Ryan Porteous rrëzoi Gundogan brenda 16-metërshit. Lojtari skocez u ndëshkua me karton të kuq.

Vlen të theksohet se Skocia brenda 45 minutave të para të ndeshjes nuk pati asnjë goditje në drejtim të Neuer.

Pjesa e dytë vazhdoi me dominimin e plotë të gjermanëve para portës së Angus Gunn.

Niclas Fullkrug shënoi golin e katërt pas një goditje precize në minutën e 68-të. I njëjti lojtar tundi rrjetën kundërshtare në minutën e 76-të, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje, pas shikimit të VAR-it.

Kur pritej që Gjermania të thellonte fitoren, skocezët arritën të zbusin disavantazhin përmes autogolit të Antonio Rudiger tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Por kjo nuk ishte e tëra.

Rezultatin përfundimtar të ndeshjes prej 5:1 për gjermanët e vulosi Emre Can në minutën e tretë të kohës shtesë të pjesës së dytë.

Gjermania udhëheq në tabelë me tri pikë, Skocia renditet e fundit pa pikë. Nesër në grupin A përballen Zvicra-Hungaria në “RheinEnergie” të Këlnit nga ora 15:00.

Xhiroja e dytë zhvillohet më qershor ndërmjet Gjermanisë e Hungarisë në “MHPArena” të Shtutgartit nga ora 18:00 dhe Zvicrës e Skocisë në “RheinEnergie” nga ora 21:00.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024