Sot mbushen gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta të legjendës shqiptare të futbollit Fadil Vokrri. Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.
Fadil Vokrri u lind më 23 korrik 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF Llapi në Podujevë.
Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.
Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.
Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar në krye të FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit. Përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhën frënge, turke dhe serbo-kroate.
Mëngjesin e 9 qershorit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër Vokrri pësoi një sulm në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.