Muret e shtëpisë bartin peshën e madhe të dëshmisë së terrorit. Fletoret e librat me shënime tregojnë për ëndrrat që mbetën në gjysmë. Rrobat e secilit kanë gjurmët e gjenocidit serb, trupat e të cilëve u bën hi. Muaji prill kujton ditën e tmerrshme të datës 17, ku mbi 50 persona u masakruan dhe u djegën dy herë. Kjo shtëpi është kujtim i rëndë për familjarët, ndërkaq dëshmitarët po jetojnë me pamjet më të tmerrshme. Ata kanë peng se si nuk arritën të shpëtojnë të afërmit, të cilët i panë teksa frymojnë. Pothuajse gjithçka ka mbetur e njëjtë në shtëpinë e familjes Muqolli në Poklek të Drenasi. Lëvizje nuk pati as për drejtësi, përkundër dëshmisë së gjallë të gjenocidit.
Për 25 vjet me radhë, kujtimet më të freskëta i ka ato të 17 prillit. Leutrimi, i cili atëherë ishte nëntë vjeçar, u mbulua me gjakun e të vëllait brenda dhomës prej 20 metrave katror, ku u vranë me breshëri plumbash.
Një ditë më pas, ishte Leutrimi i cili i tregoi pronarit të shtëpisë se çfarë ndodhi me familjen e tij dhe shumë bashkëfshatarëve të tjerë.
Fadili bashkë me ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kishin nxjerrë eshtrat e familjarëve, shumë prej të cilave të bëra hi. Trupat e hedhura në bunar nga forcat serbe, Fadili rrëfen se i kishin tërhequr me litarë. Ai nuk befasohet nga Serbia për terrorin që bëri në shtëpinë e tij. E gjithë të vratët që më pas janë djegur, po qëndrojnë në një arkivol.
“Më 21 prill kam ardhur, kam hy në podrum me Nehat Sylejmanin, kur e kam hap derën, ajo dera ka qenë ngjit, kur kam hy brenda, kam shkel si në ujë dhe e kam ndez dritën, kam shikuar sepse nuk ka qenë me ujë, kur e kam ndez dritën ka qenë e gjitha me gjak. Këtu ka qenë duke pik gjaku, dhe këtu në muri ka qenë gjak deri në tokë. Ky gjak është duke i pritur për atë drejtësi që fola”, tregonte Muqolli për atë që ka parë.
Atij kujtim i kanë mbetur edhe flokët e djalit, katër vjeçar, të cilin ia vranë forcat serbe. 25 vjet më parë, në Poklek të Drenasit u vranë, u masakruan dhe u djegën 53 shqiptarë. Prej tyre 23 fëmijë, 12 vajza, dy djemë, 14 gra, e dy burra.