Në kuadër të Forumit për Diplomaci në Antalia të Turqisë me moton “Rikodimi i Diplomacisë”, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla zhvilloi një sërë takimesh me homologë të saj të ndryshëm.
Në takim me Mevlut Çavushoglu, ministrja Gërvalla theksoi qëndrimin e vendosur të Kosovës kundër agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe e falënderoi ministrin e jashtëm turk për deklaratën e vendosur të presidentit Recep Tayyip Erdogan në mbështetje të anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Në takim me ministrin e Jashtëm të Somalisë, Abdisaid Muse Ali u bisedua rreth realitetit të ri të krijuar në Evropë pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe implikimeve të kësaj situate në Ballkan dhe Kosovë, si dhe mundësive të bashkëpunimit në fushën e edukimit, me theks të veçantë te programet online të studimit.
Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Bruneit Dato Haji Mohd, ministrja Gërvalla pasqyroi gjendjen në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor pas situatës së re të krijuar në Evropë pas invazionit rus në Ukrainë duke shtuar nevojën për të gjetur mbështetje më të gjerë për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në kontinentin e Afrikës.