Gërvalla takon Fajon, në fokus forcimi i partneritetit midis Kosovës e Sllovenisë
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në margjinat e Forumit të Bledit, zhvilloi një takim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, të cilën e falënderoi për ftesën dhe organizimin e shkëlqyer të Forumit të Bledit, duke theksuar se ky forum po luan një rol të madh në avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas komunikatës, në qendër të diskutimeve ishte roli i Sllovenisë gjatë kryesimit të Këshillit të Sigurimit gjatë muajit shtator, i cili përkon me debatin e Asamblesë së Përgjithshme të shtatorit, kur liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork.
Ministrja Gërvalla dhe homologia e saj sllovene diskutuan gjithashtu për marrëveshjet ndërshtetërore, njohjen reciproke të patentave të shoferëve, zgjerimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e Sllovenisë në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës.