Gërvalla: Rusia s’do të ndalet pa u mposhtur tërësisht në Ukrainë
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka bërë thirrje që mbështetja për Ukrainën të jetë e plotë, duke thënë se asnjë kompromis me Rusinë nuk do të sjellë paqe stabile pasi Moska zyrtare nuk do të ndalet pa u mposhtur tërësisht.
Ajo këto komente i bëri sot në panelin “Trajtim i drejtë dhe human” të Konferencës ministeriale për dimensionin njerëzor të formulës së paqes për Ukrainën në Montreal të Kanadasë.
Kryediplomatja e Kosovës theksoi rëndësinë e përkushtimit të komunitetit ndërkombëtar për të ofruar mbështetje konkrete dhe të qëndrueshme për Ukrainën dhe qytetarët e saj, kthimin e fëmijëve të deportuar dhe lirimin e robërve të luftës si një synim kryesor i kësaj konference.
Ndryshe, konferenca në Montreal ka mbledhur ministra të jashtëm nga shumë vende botërore për të diskutuar dhe mbështetur paqen dhe trajtimin e drejtë të popullit të Ukrainës, përmes formulimit të një plani të qartë dhe të qëndrueshëm.