Gërvalla në Vjenë: Serbia po tregohet destruktive në procesin e dialogut
Lexohet për: 2 min.
Gervalla 3
2 vite më parë
Linku u kopjua

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj në Austri, është takuar me ministren Federale të Austrisë për Çështje të BE-së dhe Kushtetutës,  Karoline Edtstadler, me të cilën ka biseduar mbi sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

Gërvalla theksoi faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, dhe shprehu mirënjohje për përkrahjen e Austrisë për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.  

Ajo vuri gjithashtu në pah rolin e spikatur të Austrisë në proceset evropiane për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Gërvalla, gjatë ditës u takua në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë, edhe me ambasadorët e QUINT-it në OSBE, Michael Carpenter (SHBA), Neil Busch (Mbretëri e Bashkuar), Gesa Bräutigam (Gjermani), Christine Fages (Francë) dhe Stefano Baldi (Itali). Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë në OSBE,  Eglantina Gjermeni.

Gërvalla vuri në pah vështirësitë me të cilat Kosova po ballafaqohet gjatë procesit të dialogut në Bruksel, duke theksuar qasjen destruktive dhe bllokuese të Serbisë, e cila është kthyer në pengesë serioze në këtë proces. Ajo vuri në pah nevojën e një dialogu më efikas, i cili në qendër të tij ka njohjen e reciproke.

Ministrja Gërvalla i njoftoi ambasadorët rreth procesit të nisur të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përmbushjes së vazhdueshme të gjithnjë e më shumë kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe nevojën për një liberalizim të menjëhershëm të vizave.

Ambasadorët u njoftuan rreth progresit që Kosova ka arritur gjatë vitit të kaluar në ekonomi, sundim të ligjit, transparencë institucionale, demokraci dhe liri të mediave, suksese këto të dokumentuara nga mekanizma dhe organizata ndërkombëtare si FMN, Transparency International, Reporterë pa kufi etj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025