Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, derisa është diskutuar për situatën në veri të vendit pas agresionit serb më 24 shtator.
Aty, Gashi ka thënë se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gashi ka theksuar nevojën për dënim të terrorizmit derisa ka thënë se “nuk duhet të lejojmë terroristët të minojnë përparimin që kemi bërë në ndërtimin e një shoqërie paqësore të bazuar në parimet e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës”.
Ai ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi.
“Për më tepër, ne bëjmë thirrje për një hetim ndërkombëtar të plotë dhe të paanshëm për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi. Prania e objekteve të tilla nuk është vetëm një shkelje e normave ndërkombëtare, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale dhe globale. Së bashku, me anëtarët e Këshillit të Evropës, ne duhet të solidarizohemi kundër terrorizmit dhe të punojmë pa u lodhur për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë në Kosovë. I bëjmë thirrje Serbisë që të largojë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën. Ky veprim nuk është vetëm thelbësor për stabilitetin rajonal, por edhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe parimet e paqes dhe sigurisë”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se “prania e trupave ushtarake në kufirin e Kosovës ka potencial të përshkallëzojë tensionet dhe të rrezikojë paqen e brishtë në rajon”.