Organizmi i garave ilegale me automjete është shndërruar në dukuri tejet shqetësuese dhe e rrezikshme, pasi po rrezikohet jo vetëm jeta e vetë e këtyre garuesve, por edhe e qytetarëve të tjerë. Federata e Auto Sportit kërkon zgjidhje urgjente në koordinim me Qeverinë e vendit, teksa ekspertët propozojnë që garat me makina të mbahen në poligonin e aeroportit. Policia e Kosovës ditëve të fundit në dy raste të ndara në Trudë dhe Prizren ka hasur persona të dyshuar duke bërë gara ilegale, me ç’rast janë identifikuar katër persona ndaj të cilëve në koordinim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime për sekuestrimin e veturave dhe inicimin e rasteve për vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka thënë se gjatë vitit 2023 janë shqiptuar 166 tiketa dhe janë konfiskuar 12 automjete. Ndërkaq për periudhën janar-shkurt të këtij viti janë shqiptuar 31 tiketa, po ashtu janë arritur që të parandalohen disa raste të tjera të organizimit të garave ilegale. Ndërsa organizimi i garave ilegale rrezikon seriozisht sigurinë e të gjithë atyre që janë pjesë e trafikut rrugor, kryetari i Federatës së Auto Sportit (FASK), Ismet Rexhepi thotë për KosovaPress se këto gara duhet të ndalohen sa më shpejt që është e mundur, pasi ato vetëm sa po vazhdojnë të shtohen.
Policia e Kosovës apelon të gjithë qytetarët të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor duke bashkëpunuar me policinë në parandalimin e këtyre garave, në mënyrë që policia të merr masat e duhura ligjore. Ndërkohë nga 3 prilli hyn në fuqi ligji i ri i rregullave të trafikut rrugor, ku gjobat për garat e shpejtësisë do të jenë 400 euro, 10 muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus katër pikë negative. Shoferi i cili haset duke bërë gara jashtë vendbanimit dënohet me 500 euro dhe 12 muaj ndalim të drejtimit të mjetit plus pesë pikë negative. Për mos përdorim të helmetës gjoba do të jetë 100 euro dhe personat tjerë që barten në këto mjete, ndërsa për personat e moshës nën 16-vjeç dënimi i shkon te kujdestari ose prindi.
Gjoba tjera përfshijnë mos vendosja e rripit të sigurisë - 150 euro, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes 100 euro plus një pikë negative - shoferi i cili haset për herë të parë, 200 euro plus tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus dy pikë negative - shoferi i cili haset për herë të dytë, 500 euro plus gjashtë muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus tri pikë negative - shoferi i cili haset më shumë se dy herë, 200 euro plus konfiskimi i targave - personi fizik i cili haset me mjetin të cilit i ka skaduar regjistrimi jo më gjatë se 30 ditë, 500 euro plus konfiskimi i targave - personi juridik i cili haset me mjetin të cilit i ka skaduar regjistrimi jo më gjatë se 30 ditë.
Te shpejtësia jashtë vendbanimit ngasësit do të gjobiten 20 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 10 - 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 40 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 20 - 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 150 euro plus dy pikë negative - për tejkalim të shpejtësisë nga 30 - 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 300 euro plus tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus tri pikë negative - për tejkalim të shpejtësisë nga 50 - 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 500 euro plus gjashtë muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus pesë pikë negative - për tejkalim të shpejtësisë mbi 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar. 500 euro plus gjashtë muaj i shtohet ndalimi i drejtimit të mjetit plus pesë pikë negative plus i konfiskohet përkohësisht mjeti të cilin është hasur duke e drejtuar, derisa ndaj të njëjtit është aktive masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik. Ndalimi i tejkalimit të mjeteve parashikon gjobë 200 euro plus tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus dy pikë negative. /A.Zogaj
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.