“Futbolli është një proces që do kohë”, Nuhiu: Jam këtu për ta ngritur Gjilanin
Lexohet për: 3 min.
14-Konferenca
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Në prag të fillimit të sezonit të ri 2024/25 të Superligës së Kosovës, trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu është paraqitur sot në një konferencë para mediave.

Nuhiu tha se puna dhe disiplina do të jenë shtyllat kryesore të këtij cikli të ri, ndërsa synohet ngritja e Gjilanit në nivelet më të larta, raporton KosovaPress.

“Projekti është shumë i qartë dhe mënyra e komunikimit së bashku me drejtuesit janë faktori kryesor dhe faktori bindës që unë jam këtu për të udhëhequr këtë projekt. Ne së bashku me stafin teknik kemi një plan të cilin synojmë ta implementojmë nga viti në vit, në mënyrë që kjo skuadër të ngritet në nivelet më të larta, së bashku me presidentin dhe drejtuesit të cilët do të punojnë maksimalisht në këtë drejtim”, tha Nuhiu.

Nuhiu foli për ofertën e Gjilanit për të, ndërsa ka edhe një mesazh për presidentin e klubit, futbollistët e tifozët.

“Oferta ishte shumë e pastër, shumë korrekte dhe shumë e menduar mirë nga drejtuesit, duke përcaktuar udhëheqësit e këtij projekti. Sa i përket pjesës së kaluarës time, unë gëzoj respekt gjithmonë për ish-drejtuesit, për tifozët dhe vetë klubin. Por, tani jam këtu, bashkërisht me stafin tim për të punuar për Gjilanin. President, drejtues, futbollist dhe tifoz duhet të bëhemi të gjithë një për të shkruar historinë”, tha Nuhiu.

Ish-trajneri i Dritës zbuloi objektivat që i ka me Gjilanin, duke thënë ndër të tjera që “futbolli është një proces që do kohë”.

“Ideja e vitit të parë është ndërtimi i skuadrës me një organizim të madh, do të kërkohen edhe objektiva, mirëpo jo me çdo kusht. Futbolli është një proces që don kohë, në përbërje do të kemi shumë ndryshime dhe ne nuk e kemi shkopin magjik për ta bërë atë menjëherë. Do mundohemi me stafin që t’i përcjellim idetë tona te futbollistët, në mënyrë që të ambientohen sa më shpejtë. Do mundohemi të ngrisim ekipin në të gjitha nivelet. Nuk do premtojmë që do të marrim këtë sukses, apo atë sukses, por do të punojmë për të arritur atë sukses, pasi që për këtë arsye jemi këtu”, tha Nuhiu.

Nuhiu tha se ambiciet e përbashkëta me drejtuesit e Gjilanit kanë qenë ndër faktorët kyç që ai ta marrë drejtimin e kuqebardhëve.

“Ambiciet na kanë bashkuar me drejtuesit. Duhet të jemi me këmbë në tokë, më shumë të punojmë se sa të flasim. Duhet të ja lëmë gjithçka kohës. Premtoj shumë punë dhe disiplinë, si nga ana ime, po ashtu edhe nga ana e stafit tim. Do të analizojmë çdo detaj më të vogël, në mënyrë që ekipi të ec në mënyrën më të drejtë. Besoj fuqishëm në punën tone dhe besoj që do të arrijmë sukseset nga puna jonë. Normalisht që fokusin do ta kemi edhe nga futbollistët e rinj. Do të shikojmë se çfarë mund të afrojmë nga ekipi i 21 vjeçarëve, por do t’i ndjekim ndeshjet edhe të moshave të tjera”, tha Nuhiu.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024